Unaza vaginale
Unaza vaginale është një metodë kontracepsioni.
Unaza vaginale është një unazë e hollë, elastike e bërë prej plastike. Përmban 2 hormonet që ka edhe pilula kontraceptive.
Këto hormone parandalojnë ovulacionin. Ato ua bëjnë gjithashtu më të vështirë spermatozoideve që të arrijnë membranën mukoze të qafës së mitrës Kështu spermatozoidet do ta kenë të vështirë të arrijnë mitrën, ku ndodhet vezëza. Hormonet ndërhyjnë gjithashtu në implantimin e një vezëze.
Si të përdoret një unazë vaginale
Përdorni një unazë vaginale si vijon:
- Shtypni unazën.
- Fusni unazën thellë në vaginë. Mund të fusni unazën nga pozicione të ndryshme, për shembull, duke qëndruar me 1 këmbë lart, shtrirë ose galiç.
- Vendosni 1 gisht brenda vaginës dhe shtyni unazën thellë në vaginë. Unaza duhet të qëndrojë pa shkaktuar bezdisje. Pozicioni i saktë në vaginë nuk është i rëndësishëm.
- Unaza qëndron në vend kur kryeni marrëdhënie seksuale. Ju mund ta hiqni unazën vaginale gjatë marrëdhënies seksuale, por ju duhet ta fusni përsëri atë pas 3 orësh.
- Për ta hequr unazën, vendoseni gishtin brenda vaginës tuaj dhe kalojeni si grep nëpër unazë. Nxirreni butësisht unazën jashtë.
- Përdoreni vazhdimisht unazën për 3 javë. Hiqni unazën në të njëjtën ditë të javës kur e futët (për shembull, të mërkurën). Më pas hidheni unazën në koshin e mbeturinave.
- Për 7 ditët në vazhdim (1 javë), ju s'do e përdorni unazën vaginale. Këtë javë, ju do filloni të keni gjakderdhje (cikël menstrual). Ju jeni gjithashtu e mbrojtur këtë javë.
- Pas 7 ditësh fusni një unazë të re, edhe nëse keni ende gjakderdhje.
- Përsëritni hapat e mëparshëm.
I sigurt
Unaza vaginale është shumë e sigurt nëse përdoret siç duhet. Rreth 9 në 100 gra ngelen shtatzëna kur përdorin unazën vaginale për 1 vit.
Unaza vaginale nuk është e sigurt ose është më pak e sigurt, nëse:
- Jeni duke marrë ilaçe të caktuara, si p.sh. lulen e balsamit. Tregojini mjekut tuaj nëse jeni duke përdorur unazën vaginale. Ai do ta marrë parasysh këtë kur t'ju shkruajë në recetë ilaçet.
- Harroni të futni unazën vaginale pas ndërprerjes 7-ditore ose nëse harroni ta ndryshoni; ose nëse harroni ta zëvendësoni unazën vaginale;
- Humbisni unazën vaginale gjatë marrëdhënies seksuale dhe nuk e futni përsëri pas 3 orësh.
Unaza vaginale mund të përdoret deri në 4 muaj nga dita që e bletë në farmaci.
Nuk ndikon në shëndetin tuaj
Unaza vaginale përmban hormone. Këto hormone në përgjithësi nuk ndikojnë në shëndetin tuaj. Por, në disa raste është më mirë të zgjidhni një metodë tjetër kontracepsioni. Pyesni një mjek për këshillë.
Unaza vaginale nuk ju bën më pak pjellore. Nëse doni të ngelni shtatzënë, thjesht hiqni unazën vaginale.
Gjatë muajit të parë të përdorimit të unazës vaginale, mund të keni efekte anësore si dhimbje koke, infeksione vaginale dhe të përziera. Këto efekte zakonisht zhduken vetë. Nëse nuk zhduken, konsultohuni me një mjek.
Ciklet tuaja menstruale shpesh bëhen më pak të bollshme dhe me më pak dhimbje.
Nuk ofron mbrojtje nga IST-të dhe virusi HIV
Unaza vaginale nuk mbron nga IST-të ose HIV. Vetëm një prezervativ mund t'ju mbrojë.
Blerja e unazës vaginale
Ju duhet një recetë nga një mjek për të blerë unazën vaginale. Pa recetë, s'mund ta blini unazën vaginale. Ju mund ta blini unazën vaginale vetëm në një farmaci . Pyesni një profesionist të kujdesit shëndetësor për më shumë informacion.
Disa fonde të sigurimeve shëndetësore ripaguajnë një pjesë të shpenzimeve për kontracepsionin. Pyesni fondin tuaj të sigurimeve shëndetësore për këtë.
Duhet të paguani gjithashtu një kontribut personal për vizitën te mjeku. Disa njerëz kanë të drejtë për rimbursimin e shtuar ose për kujdes mjekësor urgjent. Më poshtë janë adresat ku mund të bëni vizitë falas te një mjek.