Qasja në kujdesin mjekësor
Në Belgjikë ka shumë shërbime dhe profesionistë për t'ju ndihmuar nëse ju nevojitet informacion rreth shëndetit, nëse keni një problem shëndetësor ose nëse jeni në një situatë urgjente.
Si mund të paguaj për kujdesin shëndetësor?
Kujdesi shëndetësor është i shtrenjtë. Nëse jeni banues i ligjshëm, mund të regjistroheni në një fond të sigurimeve shëndetësore. Kur jeni anëtarë të një fondi të sigurimeve shëndetësore, ka disa mënyra për të zvogëluar shpenzimet tuaja mjekësore:
- Skema e pagesës së një pale të tretë: ju i paguani mjekut vetëm kontributin personal. Kjo do të thotë që paguani € 6 për një konsultim. Pyetni mjekun tuaj për këtë.
- Kartela e përgjithshme mjekësore (Globaal Medisch Dossier, GMD): zgjidhni një mjek të përhershëm familjeje dhe kërkojini të mbajë një kartelë të përgjithshme mjekësore. Kjo do t'i japë atij ose asaj një pamje të plotë të shëndetit tuaj dhe do ta ndihmojë që t'ju shoqërojë. Vizitat tuaja te një mjek i familjes me një kartelë të përgjithshme mjekësore do të kushtojnë gjithashtu më lirë. Kontributi personal zvogëlohet nga € 6 në € 4.
- Rimbursimi i rritur: nëse keni mjete të pamjaftueshme financiare mund të kualifikoheni për rimbursimin e rritur. Në këtë rast, fondi i sigurimeve shëndetësore rimburson një shumë më të madhe për shpenzimet mjekësore. Për shembull, kontributi personal te mjeku i familjes zvogëlohet nga € 1 me kartelën e përgjithshme mjekësore dhe € 1,5 pa kartelën e përgjithshme mjekësore. Pyetni fondin tuaj të sigurimeve shëndetësore për këtë.
Çfarë të bëj në qoftë se jam pa status qëndrimi ligjor?
Nëse nuk keni status qëndrimi të ligjshëm, keni përsëri të drejtë për kujdes mjekësor. Për këtë, mund të aplikoni për "kujdes mjekësor urgjent" në OCMW (Qendra e mirëqenies publike).
Çfarë është kujdesi mjekësor urgjent?
E drejta për kujdes mjekësor është një e drejtë themelore për të gjithë, edhe për personat që nuk kanë një status qëndrimi të ligjshëm. E drejta për "kujdes mjekësor urgjent" është e vendosur me ligj. Kështu që, edhe personat pa status qëndrimi të ligjshëm kanë mundësi të përdorin kujdesin shëndetësor.
Një mjek vendos nëse kujdesi mjekësor është urgjent ose jo. Kujdesi mjekësor urgjent është më shumë sesa kujdesi që do të merrnit në departamentin e urgjencës së një spitali. Ai mund të jetë si kujdes parandalues, ashtu dhe kurues në një spital ose me një mjek. Në parim, ai është kujdes i domosdoshëm. Nëse mjeku juaj mendon se është i domosdoshëm, edhe një konsultim për kontracepsionin ose një abortim mund të jenë kujdes shëndetësor urgjent dhe të paguhen nga OCMW-ja.
Mjeku, profesionistët e tjerë të kujdesit shëndetësor dhe OCMW-ja kanë një detyrim ligjor për të respektuar privatësinë tuaj dhe ta mbajnë të fshehtë informacionin që kanë rreth jush. Informacioni që OCMW u jep shërbimeve qeveritare mund të përdoret vetëm për të paguar faturat mjekësore.
Cilat janë kushtet për procedurën e "kujdesit mjekësor urgjent"?
Ka 3 kushte që duhet të plotësohen, në mënyrë që të keni të drejtën për kujdes mjekësor urgjent:
- Ju duhet të jetoni në Belgjikë pa status qëndrimi ligjor.
- Ju nuk duhet të jeni në gjendje të paguani vetë për kujdesin.
- Ju duhet të keni një vërtetim nga mjeku ku thuhet se ka të bëjë me "kujdesin mjekësor urgjent".
Çfarë duhet të bëj për të përfituar "kujdes mjekësor urgjent"?
Në fillim duhet të shkoni tek OCMW-ja ku jetoni, para se të shkoni te mjeku. Në rast urgjence, është e mundur të merrni kujdes mjekësor nga mjeku juaj ose një departament i urgjencës në spital pa shkuar më parë tek OCMW-ja. Ju duhet të kontaktoni OCMW-në sa më shpejt që të jetë e mundur (në kohën që ju merrni kujdesin ose menjëherë më pas).
OCMW-ja do të kontrollojë nëse plotësoni kushtet. Ajo do të bëjë një shqyrtim social dhe do t'ju pyesë për gjendjen tuaj financiare dhe kushtet tuaja të jetesës. Ndonjëherë OCMW-ja ju viziton në shtëpi.
Të gjithë mjekët e familjes mund t'ju ofrojnë kujdes mjekësor nëpërmjet procedurës për "kujdes mjekësor urgjent". Një Qendër e Shëndetit të Komunitetit (Wijkgezondheidscentrum ose Maison médicale) shpesh ka përvojë me personat pa status qëndrimi ligjor.
Ju mund të shkoni në një CAW (Qendra për Mirëqenien e Përgjithshme) në qoftë se keni nevojë për më shumë informacion ose ndihmë ligjore.
Cilat janë të drejtat e mia nëse kam statusin e qëndrimit të ligjshëm?
Fedasil-i ose OCMW-ja paguajnë për shpenzimet mjekësore të azilkërkuesve, në varësi të vendit se ku janë strehuar.
Nëse keni një kartë qëndrimi elektronike ose në disa raste, një dokument për qëndrim të përkohshëm sipas "shtojcës 15", mund të futeni në një fond të sigurimeve shëndetësore. Atëherë mund të regjistrohen edhe bashkëshorti/bashkëshortja juaj, fëmijët tuaj në 25 vjeç dhe prindërit tuaj. Kështu që, refugjatët e njohur dhe personat e mbrojtur në varësi të tyre mund të regjistrohen në një fond të sigurimeve shëndetësore.
Po nëse një profesionist i kujdesit shëndetësor nuk flet gjuhën time?
Një profesionist i kujdesit shëndetësor, si p.sh. një mjek ose punonjës social, mund të kërkojë një përkthyes për të përkthyer në një nga mënyrat e mëposhtme:
- Përkthyesi është i pranishëm gjatë konsultimit;
- Përkthyesi përkthen nëpërmjet telefonit;
- Përkthyesi përkthen nëpërmjet një kamere të uebit, nëse është e mundur.
Është e rëndësishme të dini se përkthyesi:
- është i lidhur nga fshehtësia profesionale;
- do të flasë në vetën e parë ("Unë");
- është neutral dhe përkthen çdo gjë që është thënë, pa shtuar, pa ndryshuar apo pa hequr asnjë informacion;
- është pa pagesë për pacientin.