Testi për IST
Shumica e IST-ve mund të trajtohen me lehtësi. Ju e mësoni që keni një IST vetëm pasi të bëni testin.
Mund të testoheni nga një mjek.
Ju lirisht mund të flisni me mjekun. Ai ose ajo i ka të gjitha informacionet e nevojshme për t'ju ndihmuar. Një mjek nuk mund t'i japë ndonjë informacion për ju dikujt tjetër. Ai/ajo detyrohet me ligj të respektojë privatësinë tuaj.
Si bëhet një test për IST-në?
Një test për IST kryhet si vijon:
- Mjeku ju pyet se çfarë lloj seksi kryet dhe do t'ju pyesë rreth simptomave.
- Mjeku ekzaminon organet tuaja seksuale, gojën dhe anusin për të kontrolluar për simptoma.
- Mjeku shpesh merr një mostër gjaku ose ju kërkon një mostër urine. Mjeku gjithashtu mund të marrë një mostër me tampon nga vendet që mund të jenë të infektuara (goja/fyti, anusi, vagina, uretra).
- Mjeku dërgon kampionët në një laborator për ekzaminim.
- Mjeku merr rezultatin e laboratorit të analizave rreth 1 javë më vonë.
- Mjeku ju shpjegon rezultatin dhe flet me ju rreth hapave të ardhshëm. Nëse është e nevojshme, ai/ajo do ju japë ilaçe për të trajtuar IST-në. Shumica e IST-ve mund të kurohen ose simptomat e tyre mund të trajtohen.
Sa kushton një test për IST-në?
Duhet të paguani një kontribut personal për vizitën te mjeku. Ju paguani gjithashtu një pjesë të shpenzimeve të laboratorit. Çmimi i saktë varet nga numri i testeve për IST që keni kryer.
Mjeku merr rezultatin e testit, por fatura ju dërgohet juve. Fatura deklaron vetëm që gjaku dhe/ose urina juaj u testua, por nuk tregon arsyen. Flisni me mjekun nëse nuk dëshironi që fatura t'ju dërgohet në shtëpi.
Disa njerëz kanë të drejtë për rimbursimin e shtuar ose për kujdes mjekësor urgjent.
PAP testi
Më e mira është që një grua të bëjë një PAP test të qafës së mitrës nga mosha 25 vjeç nëse ka bërë tashmë seks (marrëdhënie seksuale). Ky PAP test shërben për të zbuluar sëmundjet, si p.sh. kanceri i qafës së mitrës ose infeksionet e transmetuara seksualisht (IST-të), si p.sh. HPV-ja.