Diafragma
Diafragma është një metodë kontracepsioni.
Diafragma është një kapak i vogël silikoni. Gjerësia e saj maksimale është 8,5 cm. Skaji elastik i diafragmës mbulon hyrjen e mitrës (qafën e mitrës) dhe i pengon spermatozoidet që të mos e arrijnë vezëzën.
Disa diafragma prodhohen me masa të ndryshme. Një mjek do të përcaktojë masën që ju nevojitet. Diafragma që shitet në farmacitë belge (Caya) prodhohet vetëm në 1 masë standarde.
Si përdoret një diafragmë?
Vendosni diafragmën brenda në vaginë para penetrimit. Bëjeni në mënyrën e mëposhtme:
- Vendosni një xhel të veçantë (spermicid) në brendësi të diafragmës. Xheli i vret spermatozoidet ose i ngadalëson ato. Xheli rrit mbrojtjen.
- Paloseni diafragmën më dysh dhe futeni atë maksimumi 2 orë para marrëdhënies seksuale.
- Futeni diafragmën thellë në vaginë, mbi hyrjen e mitrës. Mbajeni anën bosh të diafragmës në drejtim të mitrës. Qafa e mitrës duhet mbuluar.
- Hiqeni diafragmën 6 deri në 24 orë pas ejakulacionit. Tërhiqeni poshtë dhe jashtë.
- Lajeni me ujë të ngrohtë dhe lëreni të thahet.
Është më pak e sigurt kur nuk përdoret siç duhet
Kur një diafragmë përdoret siç duhet, ajo është një metodë kontracepsioni shumë e sigurt. Por, shpesh diafragma nuk përdoret në mënyrën e shpjeguar më sipër. Në këtë rast, ajo është më pak e sigurt. Për më tepër, diafragma funksionon vetëm nëse përdorni masën e duhur. Nëse shtoni ose humbisni më shumë se 5 kilogram në peshë, duhet të bëni një kontroll për të parë nëse ju duhet një diafragmë me masë tjetër. Zakonisht do t'ju duhet një masë e re pas lindjes. Rreth 16 në 100 gra ngelin shtatzëna kur përdorin diafragmën për 1 vit gjatë marrëdhënies seksuale.
Nuk duhet ta përdorni diafragmën gjatë 6 javëve të para pas lindjes. Pyesni një mjek për këshillë.
Nuk ofron mbrojtje nga IST-të dhe virusi HIV
Diafragma nuk mbron nga IST-të ose virusi HIV. Vetëm një prezervativ mund t'ju mbrojë.
Blerja e diafragmës
Në Belgjikë, mund të blini Caya vetëm në një farmaci. Nuk keni nevojë për recetë. Pyesni një profesionist të kujdesit shëndetësor për më shumë informacion.
Disa fonde të sigurimeve shëndetësore ripaguajnë një pjesë të shpenzimeve për kontracepsionin. Pyesni fondin tuaj të sigurimeve shëndetësore për këtë.
Duhet të bëni vizitë te mjeku për një diafragmë të përshtatshme për masën tuaj. Në këtë rast, paguani edhe kontributin personal për vizitën te mjeku. Disa njerëz kanë të drejtë për rimbursimin e shtuar ose për kujdes mjekësor urgjent.