Transgjinor
Transgjinor do të thotë që seksi i një njeriu nuk korrespondon me mënyrën se si ndjehet ose sillet.
Ka forma të ndryshme të transgjinorit:
- Disa njerëz kombinojnë karakteristikat e burrave me të grave. Ata e identifikojnë veten si burrë dhe si grua ose si asnjë prej tyre.
- Disa persona transgjinorë e identifikojnë ndonjëherë veten si burrë dhe ndonjëherë si grua.
- Të tjerët sillen dhe vishen si seksi tjetër.
- Së fundi, ka persona që dëshirojnë të ndryshojnë seksin. Një person transgjinor mund ta ndryshojë seksin nëpërmjet operacionit dhe hormoneve, nëse dëshiron. Personat transgjinorë mund të zgjedhin nëse duan ose jo të marrin trajtim dhe sa larg duan të shkojnë me trajtimin e tyre.
Një person transgjinor nuk ka një problem ose sëmundje.
Në Belgjikë, diskriminimi i personave transgjinorë ndalohet me ligj. Ndalohet me ligj të trajtoni njerëzit ndryshe dhe të përjashtoni ose t'i kufizoni për shkak të identitetit të tyre gjinor.
Zbulimi që jeni transgjinor
Shumica e njerëzve ndjehen shumë konfuzë nëse janë transgjinorë. Jepini kohë vetes. Shmangni pritshmëritë e të tjerëve që të mund të zbuloni se çfarë është e rëndësishme për ju.
Disa njerëz mendojnë se janë të çmendur, të tjerët nuk janë të sigurt se kush janë ose janë shumë të palumtur me trupin e tyre.
Nëse keni vështirësi me mendimet dhe ndjenjat tuaja, mund të bisedoni rreth tyre me një profesionist të specializuar të kujdesit shëndetësor.
Informimi i të tjerëve që jeni transgjinor
Nuk ka një mënyrë të saktë ose të gabuar për t'i thënë dikujt që jeni transgjinor. Mendoni se si dhe kur dëshironi t'ua tregoni njerëzve, reagimet që prisni dhe se si e shikoni të ardhmen.
Nuk keni pse t'ua thoni të gjithëve menjëherë. Për shembull, në fillim mund t'ia tregoni një profesionisti të kujdesit shëndetësor ose një personi tjetër transgjinor. Pas kësaj mund t'ua tregoni, për shembull, shokëve më të ngushtë, prindërve dhe familjes dhe më pas njerëzve të tjerë.
Më pas, mund të ndryshoni gjithashtu pamjen ose emrin. Disa njerëz e kanë të vështirë të ndryshojnë mënyrën se si ju shikojnë. Është e rëndësishme që familja dhe shokët tuaj ta kuptojnë se çfarë do të thotë të jesh transgjinor dhe të mund të bëjnë disa pyetje.
Seksualiteti
Shumë njerëz transgjinorë nuk e pëlqejnë trupin e tyre. Kjo do të thotë që ata e konsiderojnë seksualitetin një temë të vështirë. Kjo mund të ndryshojë pas trajtimit me hormone ose një operacion. Atëherë njerëzit transgjinorë do të jenë më të kënaqur me trupin e tyre.
Hormonet kanë një ndikim të madh në dëshirën seksuale. Disa njerëz kanë një dëshirë seksuale më të madhe dhe të tjerët e kanë më të vogël. Hormonet mashkullore zakonisht e rrisin dëshirën seksuale dhe hormonet femërore e zvogëlojnë.
Mbrojtja nga IST-të dhe nga HIV
IST-të janë infeksione që transmetohen nëpërmjet kontaktit seksual me dikë që ka një IST. Ju mund të zvogëloni rrezikun e infeksionit.
Burrat transeksualë (njerëz me organe gjenitale femërore por me një identitet të gjinisë mashkullore):
- Përdorni një prezervativ gjatë seksit vaginal dhe seksit anal. Ekzistojnë prezervativë në të gjitha masat. Mund të përdorni edhe një digë dentare në vend të një prezervativi.
- Nëse keni ende një vrimë vaginale, mund të përdorni edhe një prezervativ femëror.
- Duhet të përdorni gjithashtu një lubrifikues me bazë ujore (jo vajore) gjatë seksit anal. Kjo pengon çarjen e prezervativit.
Gratë transeksuale (njerëz me organe gjenitale mashkullore por me një identitet të gjinisë femërore):
- Përdorni një prezervativ gjatë seksit vaginal dhe seksit anal. Mund të përdorni edhe një prezervativ femëror gjatë seksit vaginal.
- Përdorni gjithmonë lubrifikues, edhe gjatë seksit vaginal. Kjo pengon çarjen e prezervativit.
- Bëni kujdes me seksin anal sepse lëkura e perineumit është e hollë.
Ju mbroheni gjithashtu nga IST-të nëse ju dhe partneri juaj i rregullt (marrëdhënie e qëndrueshme), që të dy, keni rezultat negativ të testit për IST dhe nuk kryeni marrëdhënie seksuale me persona të tjerë.
Dëshira për të bërë fëmijë
Hormonet ose një operacion i ndryshimit të seksit mund të shkaktojnë shterpësi. Nëse keni dëshirë të keni fëmijë, mund të zgjidhni trajtimin për spermatozoidet ose të ngrini vezëzat tuaja. Diskutojeni këtë me një profesionist të kujdesit shëndetësor.