Homoseksualiteti
Disa persona kanë ndjenja romantike dhe/ose seksuale për personat e të njëjtit seks. Si burrat, ashtu edhe gratë mund të jenë homoseksualë. Burra që ndjejnë të tërhiqen nga burra të tjerë quhen homoseksualë ose gei; gratë që ndjejnë të tërhiqen nga gra të tjera quhen homoseksuale ose lesbike. Disa njerëz ndihen të tërhequr si nga burrat, ashtu dhe nga gratë. Ata quhen biseksualë.
Dikush mund të jetë homoseksual pa dëshiruar të bëjë seks ose të ketë marrëdhënie me dikë të të njëjtit seks.
Disa burra kanë ndjenja homoseksualiteti vetëm gjatë një periudhe të caktuar në jetën e tyre.
Kushdo zgjedh nëse do ta quajë veten e tij/të saj homoseksual, lesbike ose biseksual. Për shembull, burrat mund të bëjnë seks me burra, por të mos e quajnë veten e tyre homoseksualë.
Pse janë disa njerëz homoseksualë?
Nuk dihet pse njerëzit ndjejnë të tërhiqen nga njëri seks ose nga tjetri, ose nga të dyja sekset. Por, dimë që:
- të jesh homoseksual nuk është zgjedhje. Ajo vjen natyrshëm.
- Homoseksualiteti ndodh në gjitha vendet dhe kulturat. Në Evropë, diskriminimi ndaj homoseksualëve ndalohet me ligj. Ndalohet me ligj të trajtoni njerëzit ndryshe dhe të përjashtoni ose t'u vendosni kufij njerëzve për shkak të homoseksualitetit të tyre.
Është e paqartë nëse homoseksualiteti trashëgohet. Gjithashtu nuk dihet saktë roli që luan mënyra e edukimit të një personi.
T'u thoni të tjerëve që jeni homoseksual
Shumë burra dhe gra i mbajnë të fshehta ndjenjat e tyre. Të tjerët i tregojnë familjes dhe shokëve që janë homoseksualë ose biseksualë dhe e jetojnë hapur seksualitetin e tyre.
T'u tregoni dikujt që jeni homoseksual ose biseksual është shpesh e vështirë dhe kërkon shumë guxim. Burrat dhe gratë homoseksuale dhe biseksuale, shpesh kanë nevojë për shumë kohë që të pranojnë që tërhiqen nga personat e të njëjtit seks.
Mund të jetë një lehtësim t'ua thuash njerëzve të tjerë. S'keni pse ta fshihni më gjatë. Fillimisht flisni me njerëzit të cilët ju mendoni se do ju pranojnë ashtu si jeni. Jini të vetëdijshëm që reagimet në fillim nuk do jenë gjithmonë pozitive.
Ju nuk keni pse t'u tregoni njerëzve të tjerë që jeni homoseksual. Nëse besoni se nuk është e sigurt t'u tregosh të tjerëve, atëherë nuk keni pse ta bëni.
Takimi me homoseksualë të tjerë
Ekzistojnë organizata dhe vende takimi specifike ku mund të njiheni me homoseksualë të tjerë.
Homoseksualiteti dhe ligji
Në Evropë, diskriminimi për shkak të orientimit seksual ndalohet me ligj. Ndalohet me ligj të trajtoni njerëzit ndryshe dhe t'i përjashtoni ose t'i kufizoni për shkak të një karakteristike që mbrohet me ligj. Homoseksualiteti ose ndryshimi i seksit janë karakteristika të mbrojtura. Për shembull, ndalohet diskriminimi në aplikimet për punë, në punë, në edukim dhe gjatë marrjes së një shtëpie me qira.
Martesa
Njerëz të të njëjtit seks mund të kenë një marrëdhënie. Në Belgjikë, ata gjithashtu mund të martohen ose të kenë një partneritet të regjistruar.
Sjellja prindërore
Në Belgjikë, 2 burra ose 2 gra mund të jenë prindër të një fëmije së bashku. Ata mund të adoptojnë një fëmijë. Adoptim do të thotë që të bëheni prindi i ligjshëm i një fëmije që nuk është fëmija juaj biologjik. Nuk nevojitet të jeni të martuar për të adoptuar një fëmijë. Mund të adoptoni një fëmijë edhe nëse bashkëjetoni.
Çiftet lesbike mund të kenë gjithashtu fëmijë nëpërmjet trajtimit të pjellorisë me spermë nga një dhurues.