Planifikimi familjar natyror
Planifikim familjar natyror do të thotë që nuk përdoren metoda kontracepsioni.
Ekzistojnë metoda të ndryshme të planifikimit familjar natyror:
- Moskryerja e marrëdhënies seksuale. Megjithatë, është e natyrshme për njerëzit të bëjnë seks.
- Moskryerja e marrëdhënies seksuale kur një grua është në ditët e saj pjellore. Kjo metodë quhet gjithashtu metoda e ritmit. Megjithatë, është e vështirë të dini se në cilën ditë një grua mund të mbetet shtatzënë.
- Tërheqja e penisit para se burri ejakulon.
- Ushqyerja me gji.
Metoda e tërheqjes
Tërheqja e penisit para se burri të ejakulojë:
- Para se të ejakulojë, burrit mund t'i dalë pak lëng që mund të përmbajë spermatozoide.
- Është e vështirë të dihet saktësisht se kur mashkulli ejakulon. Një orgazëm është shpesh shumë çoroditëse ose e shpejtë dhe e papritur. Atëherë është shumë e vështirë të tërhiqet penisi para se të dalë sperma e parë.
- Nëse burri ejakulon pranë vaginës, spermatozoidet mund të hyjnë në vaginë. Kjo do të thotë që gruaja mund të mbetet shtatzënë.
Ushqyerja me gji
Metoda e ushqyerjes me gji funksionon vetëm në rrethanat në vijim:
- Metoda funksionon vetëm gjatë 6 muajve të parë pas lindjes. Pas 6 muajve, më mirë përdorni një metodë kontracepsioni, edhe nëse nuk keni pasur një cikël menstrual. Për shembull: prezervativin ose minipilulën.
- Gruaja duhet ta ushqejë vetëm me gji foshnjën. Kjo do të thotë që fëmija ushqehet vetëm me qumështin e gjirit. Nuk duhet të kalojnë më shumë se 4 orë midis orareve të ushqimit gjatë ditës dhe 6 orë midis orareve të ushqimit gjatë natës.
- Gruaja nuk duhet ta shtrydhë qumështin. Shtrydhja e qumështit është kur shtrydhet gjoksi me një dorë ose kur përdoret një pompë për thithjen e qumështit nga gjoksi.
Nëse nuk i plotësoni këto kushte, përdorni një metodë kontracepsioni. Kur ushqeni me gji, më e mira është të përdorni një prezervativ ose minipilulën.
Jo shumë e sigurt
Është e vështirë të përdorni siç duhet metodat e planifikimit familjar natyror. Ju mund të mbeteni shtatzënë nëse nuk i përdorni këto metoda siç duhet. Rreth 1 në 4 gra ngel shtatzënë kur përdor planifikimin familjar natyror.
Nëse nuk keni dëshirë për të bërë fëmijë është mirë të konsideroni përdorimin e një metode tjetër. Pyesni një mjek për këshillë.
Metoda e ushqyerjes me gji është e sigurt gjatë 6 muajve të parë pas lindjes. Rreth 1 në 50 gra ngel shtatzënë me këtë metodë. Pas 6 muajsh, metoda nuk është më e sigurt.
Nuk ofron mbrojtje nga IST-të dhe virusi HIV
Metodat e planifikimit familjar natyror nuk ju mbrojnë nga IST-të ose virusi HIV. Vetëm një prezervativ mund t'ju mbrojë.