Martesa
Kush mund të martohet në Belgjikë?
Mund të martoheni në Belgjikë nëse cilido prej partnerëve:
- ka shtetësi belge;
- ka qëndrim të ligjshëm në Belgjikë;
- ka pasur vendin e tij/e saj të zakonshëm të banimit në Belgjikë për më shumë se 3 muaj. Ju duhet të provoni se keni jetuar në Belgjikë, madje edhe në qoftë se ju nuk keni status të qëndrimit të ligjshëm.
Kushtet e tjera për martesë në Belgjikë
- Të dy partnerët duhet të jenë të pamartuar ose të divorcuar (kur një martesë ka përfunduar ligjërisht).
- Partnerët nuk mund të jenë të afërm të ngushtë (për shembull: vëllezërit dhe motrat nuk mund të martohen).
- Të dy parterët duhet të jenë 18 vjeç ose më shumë. Është e mundur që të martoheni nga mosha 16 vjeç e në vazhdim nëse prindërit dhe gjykata bien dakord për të.
Nëse nuk keni shtetësi belge, zakonisht zbatohet ligji i vendit të origjinës. Për shembull: një grua afgane te të 16-at mund të martohet në Belgjikë pa marrëveshje gjyqësore.
Martesa me të njëjtin seks (midis 2 burrave ose 2 grave) është një përjashtim nga ky rregull.
Martesa me të njëjtin seks
Martesa me të njëjtin seks ka qenë e ligjshme në Belgjikë që nga viti 2003.
Në qoftë se njëri nga partnerët ka shtetësinë e një vendi që njeh martesat mes homoseksualëve, ligji i atij vendi zbatohet. Në këtë rast, ligji i vendit të partnerit tjetër nuk zbatohet. Për shembull: Një burrë nga Uganda, ku martesa me të njëjtin seks ndalohet me ligj, mund të martohet me një burrë belg apo një burrë nga një vend tjetër që njeh martesat me të njëjtin seks. Ligji i Ugandas nuk vlen në këtë rast.
Nëse dëshironi më shumë informacion rreth martesës me të njëjtin seks, kontaktoni Ndihmën ligjore të Agjencisë së Integrimit dhe Natyralizimit ose një avokat. Ju mund të kontaktoni Holebifoon për të gjetur një avokat i cili ka përvojë në këto çështje.
Zgjedhje e lirë
Në Belgjikë, çdokush është i lirë të vendosë se me kë ai/ajo do të martohet. Një martesë e detyruar ndalohet me ligj.
Një person që detyron dikë tjetër të martohet kundër dëshirës së tij/së saj mund të dënohet me burgim deri në 2 vjet. Edhe nëse martesa nuk ndodh, shtrëngimi mund të dënohet ende. Shtrëngimi mund të jetë fizik ose psikologjik (kërcënime ose presion emocional).
Një martesë e rregulluar është kur prindërit ose anëtarët e tjerë të familjes zgjedhin një partner për fëmijën e tyre. Kur të dy bashkëshortët e ardhshëm bien dakord plotësisht për martesën, kjo është një martesë ligjore.
Partneritet i regjistruar
Një formë tjetër e ligjshme në të cilën partnerët mund të jenë bashkë është partneriteti i regjistruar (NL: wettelijk samenwonen). Kjo jep një mbrojtje ligjore, por nuk është e barabartë me martesë. Ajo përcakton të drejtat dhe detyrimet e partnerëve kundrejt shtëpisë së përbashkët familjare dhe pasurive të tjera. Është më e lehtë për t'i dhënë fund një partneriteti të regjistruar se një martese.
Për më shumë informacion në lidhje me partneritetin e regjistruar, ju mund të kontaktoni Ndihmën ligjore të Kruispunt Migratie Integratie ose një avokat.