Implanti kontraceptiv
Implanti kontraceptiv është një metodë kontracepsioni.
Ai është një shkop i vogël elastik me madhësi sa një fije shkrepëse. Ai përmban 1 hormon. Ky hormon parandalon ovulacionin. Gjithashtu ai e bën më të vështirë për spermatozoidet të futen në mitër dhe të arrijnë vezëzën.
Si punon implanti kontraceptiv?
Një mjek ose gjinekolog do të përshtasë implantin. Do t'ju bëhet një anestetik lokal dhe shkopi do të shtyhet pikërisht poshtë lëkurës nga brenda parakrahut tuaj. Kjo është pothuajse pa dhimbje.
Implanti kontraceptiv punon për 3 vjet. Pas 3 vitesh ai ka nevojë të zëvendësohet.
Shumë e sigurt
Implanti kontraceptiv është shumë i sigurt nëse përdoret siç duhet. Rreziku i shtatzënisë është afërsisht 1 në 2000.
Nuk ndikon në shëndetin tuaj
Implanti kontraceptiv përmban 1 hormon. Ky hormon në përgjithësi nuk ndikon në shëndetintuaj. Por, në disa raste është më mirë të zgjidhni një metodë tjetër kontracepsioni. Pyesni një mjek për këshillë.
Implanti kontraceptiv nuk ju bën më pak pjellore. Nëse doni të ngelni shtatzënë, duhet vetëm t'ju heqin implantin.
Gjatë muajve të parë të përdorimit të implantit, mund të keni efekte anësore, si p.sh. gjokse më të ndjeshme, dhimbje koke dhe cikël menstrual të çrregullt. Këto efekte zakonisht zhduken vetë. Nëse nuk zhduken, konsultohuni me një mjek.
Ciklet menstruale mund të bëhen më pak të bollshme dhe shpesh ndalojnë krejtësisht. Nuk ka problem nëse ciklet tuaja menstruale ndalojnë. Gjaku nuk mund të mblidhet në trupin tuaj. Për disa gra, cikli bëhet më i rëndë. Të tjerat vazhdojnë të kenë cikle menstruale të çrregullta ose gjakrrjedhje midis 2 cikleve. Edhe kjo nuk përbën problem.
Nuk ofron mbrojtje nga IST-të dhe virusi HIV
Implanti kontraceptiv nuk ju mbron nga IST-të ose virusi HIV. Vetëm një prezervativ mund t'ju mbrojë.
Çmimi i një implanti kontraceptiv
Ju keni nevojë për një recetë nga një mjek për të blerë implantin hormonal. Pa recetë, s'mund ta blini implantin. Implantin mund ta blini vetëm në një farmaci.
Pyesni një profesionist të kujdesit shëndetësor për më shumë informacion.
Disa fonde të sigurimeve shëndetësore ripaguajnë një pjesë të shpenzimeve për kontracepsionin. Pyesni fondin tuaj të sigurimeve shëndetësore për këtë.
Duhet të paguani gjithashtu një kontribut personal për vizitën te mjeku. Disa njerëz kanë të drejtë për rimbursimin e shtuar ose për kujdes mjekësor urgjent. Më poshtë janë adresat ku mund të bëni vizitë falas te një mjek.