Çfarë janë të drejtat seksuale dhe riprodhuese?
Të drejtat seksuale dhe riprodhuese janë një pjesë e të drejtave të njeriut. Të drejtat e njeriut janë të shkruara në ligjet dhe marrëveshjet ndërkombëtare. Ato janë nënshkruar nga shumica e vendeve në botë. Edhe Belgjika i ka nënshkruar dhe duhet t'i respektojë këto të drejta.
Të drejtat seksuale
Kur të drejtat seksuale respektohen, njerëzit janë në gjendje të shijojnë marrëdhënie seksuale dhe dashurie të kënaqshme dhe të sigurta.
Kjo do të thotë që këto marrëdhënie janë të lira nga shtrëngimi ose dhuna dhe pa frikë nga infektimi ose shtatzënia e paplanifikuar.
Të drejtat riprodhuese
Shëndeti riprodhues lidhet me shtatzëninë, lindjen, marrjen e vendimit nëse dhe kur të kesh fëmijë.
Kur të drejtat riprodhuese respektohen, njerëzit mund të bëjnë zgjedhje të lira për të ngelur shtatzënë, për të marrë kontracepsion ose për të zgjedhur një abortim.
Çfarë janë këto të drejta themelore seksuale dhe riprodhuese?
E drejta për jetën
Ju keni të drejtën të merrni kujdesin më të mirë shëndetësor në dispozicion gjatë shtatzënisë dhe lindjes. Profesionistët e shëndetit do të bëjnë gjithçka të jetë e mundur për të ruajtur jetën dhe shëndetin për veten dhe fëmijën tuaj. Ju keni të drejtën të merrni kujdesin shëndetësor për të cilin keni nevojë.
E drejta për liri dhe siguri personale
Ju keni kontroll mbi trupin tuaj dhe jetën tuaj seksuale. Ju keni të drejtën të shijoni seksualitetin tuaj dhe jeni i lirë të vendosni nëse dhe kur të bëni fëmijë dhe sa të keni.
Kjo gjithashtu do të thotë se shtrëngimi, sjellja seksualisht abuzive dhe shfrytëzimi janë të ndaluara.
E drejta për barazi
Ju keni të drejtën të trajtoheni në mënyrë të barabartë dhe të mos diskriminoheni për shkak të prejardhjes suaj etnike ose kombëtare, për shkak të fesë apo statusit tuaj shëndetësor ose për shkak se ju jeni një burrë apo një grua. Burrat dhe gratë kanë të drejta të barabarta.
E drejta për privatësi
Ju keni të drejtën për të bërë zgjedhjet tuaja në lidhje me seksualitetin, pa frikë nga reagimet negative apo persekutimit. Kjo do të thotë se kujdesi shëndetësor dhe shërbimet sociale duhet të respektojnë privatësinë tuaj. Askush nuk lejohet të ndajë rezultatet e një testi për HIV me njerëz të tjerë, në qoftë se personi që po testohet nuk jep pëlqimin e tij/e saj.
E drejta e lirisë së mendimit
Ju keni të drejtën të keni mendimin tuaj lidhur me seksualitetin dhe shëndetin seksual dhe keni të drejtën të flisni rreth tij.
E drejta e informimit dhe të edukimit
Ju keni të drejtën të merrni të gjithë informacionin dhe edukimin që ju duhet për t'u kujdesur për shëndetin tuaj seksual dhe riprodhues. Për shembull: informacion mbi mënyrën se si funksionon trupi juaj, mbi kontracepsionin, për infeksionet seksualisht të transmetueshme (IST-të), mbi të drejtat tuaja.
E drejta për t'u martuar ose jo dhe për të filluar dhe planifikuar një familje
Askush nuk ka të drejtën t'ju detyrojë ose të marrë këto vendime në emrin tuaj.
E drejta për të pasur fëmijë ose jo
Ju keni të drejtën për të marrë mjete të sigurta të kontracepsionit, të tilla si pilula kontraceptive ose prezervativët.
E drejta për kujdes shëndetësor
Në Belgjikë të gjithë, duke përfshirë edhe njerëzit pa statusin e qëndrimit të ligjshëm, ka të drejtën për qasje në kujdesin shëndetësor.
E drejta për të mirat e përparimit shkencor
Për shembull: në Belgjikë të gjithë, duke përfshirë edhe njerëzit pa statusin e qëndrimit të ligjshëm, ka të drejtën për të marrë të njëjtin tip trajtimi të HIV.
E drejta e lirisë së pjesëmarrjes në kuvend dhe pjesëmarrjes politike
Ju keni të drejtën për t'u mbledhur me njerëz të tjerë për të folur për të drejtat seksuale dhe riprodhuese dhe për të ndërmarrë veprime për të siguruar që këto të drejta të respektohen. Ju keni të drejtën për të rritur ndërgjegjësimin ose t'u kërkoni politikanëve të marrin vendime për të garantuar këto të drejta.
E drejta për të qenë i lirë nga tortura dhe keqtrajtimi
Ju keni të drejtën për t'u mbrojtur nga të gjitha format e dhunës që lidhen me seksualitetin, të tilla si ngacmimi seksual, tentativa e përdhunimit ose përdhunimi, trafikimi i qenieve njerëzore, abuzimit të fëmijëve ose gjymtimi gjenital femëror.
Nëse ju jeni HIV-pozitiv, qeveria belge nuk duhet t'ju dërgojë në një vend ku ju nuk mund të vazhdoni trajtimin tuaj.